Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka marrë meritat për aksionin e Policisë në Karaçevë, për të cilin tha se mund të realizohej edhe më herët.
Mirëpo, zhvillimin e këtij aksioni, Hoti thotë se e ndaloi ish-kryeministri, Albin Kurti.
“Me çështjen e shuarjes së Task-forcës ne e kemi kthyer ligjshmërinë. Në kompetenca kushtetuese s’ka dakordime, kur vlerësoj se ka shkelje të ligjit, marr masa. Rasti Karaçeva, si aksion është ndaluar në qeverinë paraprake, është ndaluar aksioni nga kryeministri paraprak. Pas ardhjes time më 3 qershor, është përgatitur plani edhe një herë, më është prezantuar, e kam dhënë dakordimin tim dhe ato kazino janë bërë rrafsh”, ka thënë Hoti.
Ndonëse aksioni u krye me sukses, Hoti thotë se drejtori i Policisë së Kosovës u shkarkua për shkak të raporteve të performancës së tij.
“Nuk kanë shkuar gjanat siç është dashur të shkojnë, janë ca gjana që janë sekrete. Vendimi për shkarkim është marrë në bazë të raporteve për performancën e tij”, tha ai në KTV, transmeton Gazeta Sinjali./Gazeta Sinjali/