Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi priti në takim sot përfaqësuesit e Koorporatës Financiare të SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Caleb McCarry, Brian Martalus dhe John Jovanovic, bashkë me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Në këtë takim palët kanë diskutuar për implementimin e projekteve të dakorduara në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi, më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
“Gjatë këtij takimi, diskutimi u përqendrua në fusha të veçanta, respektivisht në projektet kapitale, si autostrada, hekurudha dhe energjia”, tha Hoti, i cili falënderoi partnerët amerikanë për “kontributin e vazhdueshëm, duke marrë shkas edhe nga efikasiteti i tyre i jashtëzakonshëm për jetësimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike në mes dy vendeve”./Gazeta Sinjali/