Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, njofton Gazeta Sinjali.
Sipas komunikatës nga qeveria, kryeministri Hoti e njoftoi ambasadorin Kolly për prioritetet e Qeverisë së tij, me theks të veçantë për përballjen me pandeminë e koronavirusit, si dhe angazhimin në rimëkëmbjen ekonomike.
Hoti shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të qeverisë për përkrahjen konkrete të Zvicrës për vendin në shumë fusha, veçanërisht për ndihmën që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në sektorin e ujërave.
Kryeministri Hoti, gjithashtu u shpreh se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve.
Ndërsa, ambasadori Thomas Kolly e falënderoi kryeministrin Hoti për pritjen, si dhe theksoi se Zvicra do të vazhdojë edhe më tej ta mbështesë Kosovën me projekte zhvillimore. /Gazeta Sinjali/