image Hoti sot takohet me kryetarët e partive në koalicionin qeverisës, diskutohen këto çështje

Politikë

Hoti sot takohet me kryetarët e partive në koalicionin qeverisës, diskutohen këto çështje

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mbrëmë ka bërë të ditur se sot do t’i kthehet agjendës qeveritare, ku do të takohet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn dhe kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn.

Përmes njoftimit të publikuar në Facebook, Hoti tha se ky takim do të mbahet në orën 15:00, për t’i informuar rreth zhvillimeve në procesin e dialogut me Serbinë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Në orën 15 takohem me z.Mustafa, z.Haradinaj dhe z.Limaj për t’i informuar për zhvillimet e deritashme në procesin e dialogut dhe pritjet për takimin e Washingtonit, si dhe për çështje të tjera në funksion të realizimit të programit qeverisës të dakorduar me të gjithë partnerët e koalicionit”, ka shkruar Hoti.

Dje, sekretari i përgjithshëm i LDK-së dhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi tha se në këtë takim do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, përfshirë edhe çështjen e presidentit që është aktualizuar së fundi me shpalljen e kandidaturës për këtë pozitë nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Thjesht një takim i cili do t’i trajtojë të gjitha çështjet e hapura, duke përfshirë edhe mënyrën e dialogut edhe çështjen e presidentit”, ka thënë Abrashi dje.

Madje ai ka theksuar se ky post mund t’i takojë edhe LDK-së.

“Nuk është diskutuar asnjëherë se cilës parti duhet t’i takojë, por unë besoj që edhe LDK-ja si një parti shtetformuese e cila ka dhënë shumë për vendin edhe i ka numrat në Kuvend dhe besoj që edhe LDK-së mund t’i takojë posti i presidentit”, ka deklaruar Abrashi. /Gazeta Sinjali