Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar sot Shërbimin Spitalor, Klinik Universitar ku është takuar me ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqin.
Duke folur për menaxhimin e pandemisë, Hoti ka thënë se po përgatiten për një valë të dytë të koronavirusit.
“Të gjithë po punojmë 24 orë, pa përjashtim. Por ju kur vini në mëngjes, ju përballeni me rrezikun. Unë ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme. Rënia e shifrave kohëve të fundit na ka dhënë njëfarë qetësie shpirtërore në familjet tona. Tash po hyjmë në fazën e vjeshtës. Jemi duke punu ngushtë çdo ditë me Institutin kombëtar e me profesionistët e tjerë. Objekti duhet që sa më parë të bëhet gati për vjeshtë. Vaksinimi shpresojë që të fillojë shumë shpejtë”, ka deklaruar Hoti.
Ndërkaq ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se sa i përket valës së dytë po bëhen përgatitjet për të akomoduar pjesë të ndryshme të objekteve shëndetësore.
Ai po ashtu ka kërkuar nga Qeveria, që punëtorëve shëndetësorë t’u krijohen kushte më të mira për punë.