Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se nuk është i informuar rreth deklaratës së sotme të zëvendëskryeministrit, Goran Rakiqi, në Beograd, i cili tha se nëse Kosova nuk e formon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sipas Marrëveshjes së Brukselit, atëherë Lista Serbe do të dalë nga koalicioni qeverisës.
Hoti tha se qeveria e tij nuk pranon kërcënime të tilla nga askush dhe se po kujdeset që të respektohet marrëveshja e koalicionit qeverisës.
“Kjo nuk është qeveri që pranon kërcënime prej askujt, absolutisht askujt. Nuk punojmë nën kërcënimet e askujt. Kemi disa marrëveshje të koalicionit me të gjithë partnerët, përfshirë Listën Serbe. Për aq kohë sa i përmbahemi këtyre marrëveshjeve punojmë bashkë. Unë po kujdesem që të respektohen këto marrëveshje”, tha ai para gazetarëve./Gazeta Sinjali/