Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka publikuar një grafikon ku ka theksuar se trendi rënës i ekonomisë po vazhdon në mandatin e qeverisë aktuale.
Hoti thotë se në mungesë të bashkëpunimit me sektorin privat, rritja ekonomike ka rënë në nivele të ulëta.
Sipas tij, investimet publike në tri vitet e fundit janë tkurrur dhe e gjithë politika ekonomike është reduktuar në subvencione, të cilat mundësojnë mbijetesë, por jo zhvillim.
Postimi i plotë:
Trendi rënës i ekonomisë po vazhdon gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie – që nga tremujori i dytë i vitit 2021 kur e nisën mandatin.
Pa zot shtëpie që kujdeset për ekonominë e bashkëpunon me sektorin privat, rritja ekonomike është shafitur në nivele të ulëta që as amortizimi i kapitalit nuk mbulohet.
Kjo ka qenë e pritshme. Në tri vite të qeverisjes, nuk ka asnjë politikë ekonomike e fiskale që siguron punësim e prodhim të qëndrueshëm. Investimet publike në tri vitet e fundit janë tkurrur jashtëzakonisht shumë. E gjithë politika ekonomike është reduktuar në subvencione, të cilat mundësojnë mbijetesë, por jo zhvillim.