Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi se ka pritur sot në takim përfaqësuesit e shoqatave “HANDIKOS”, “Down Syndrome Kosova”, SOS Fshatrave të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e strehimoreve të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë takim Hoti thotë se ka propozuar që të shqyrtohen të gjitha rrugët ligjore dhe me të gjitha shoqatat të cilat ofrojnë shërbime publike për grupe të caktuara, të hartohen marrëveshje kornizë tri vjeçare për financimin e tyre.
“Qëllimi i hartimit të marrëveshjes kornizë, është sigurimi i financimit të rregullt për të gjitha shoqatat që ofrojnë shërbime publike, të cilat Qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore nuk kanë kapacitet t’i ofrojnë. Nisma e Hotit, për hartimin e marrëveshjes kornizë tri vjeçare për financimin e rregullt të shoqatave të cilat ofrojnë shërbime publike për grupe të caktuara, u vlerësua si vendosje e standardeve të reja në bashkëpunimin e këtyre shoqatave me Qeverinë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.