Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se nesër në mbledhjen e radhës të qeverisë do të formohet Fondi Emergjent për menaxhimin e situatës të krijuar nga vërshimet dhe përmbytjet e reshjeve të shiut dhe borës, gjatë ditëve të kaluara.
Hoti u kërkoi kryetarëve të Komunave të vendit që të evidentojnë të gjitha dëmet që janë shkaktuar në komunat që ata udhëheqin dhe të parashtrojnë kërkesat për ndihmë te qeveria në detyrë dhe te ministritë.
“Unë me disa prej jush kam biseduar dhe në disa vende kam qenë në terren për ta parë gjendjen për së afërmi. Ju përgëzoj për angazhimin që keni treguar në çdo komunë, kemi pasë fat që nuk i kemi pësuar asnjë rast me fatalitet si pasojë e këtyre vërshimeve”, u tha Hoti atyre në një takim virtual që është duke u mbajtur momentalisht.
“Kam parë që ka dëme të konsiderueshme në shtëpi banimi dhe në toka bujqësore. Më shumë më kanë shqetësuar qytetarët të cilët kanë mbetur pa shtëpi. Unë kërkoj nga ju që të evidentoni problemet që keni dhe të komunikoni me Ministrinë e Mbrojtjes për të ndihmuar FSK-ja në vendosjen e urave aty ku ka nevojë dhe gjëra të tjera”.
I pari i ekzekutivit tha se për të bërë vlerësimin e dëmeve duhet të formohen edhe komisionet komunale.
“Komisionet komunale për të bërë vlerësimin e dëmeve duhet të formohen sa më shpejtë. Këto komisione në secilën komunë duhet të identifikojnë familjet që janë në gjendje më të rëndë dhe që kanë nevojë të ndihmohen”.
Ndërkohë, ndihmat nga Fondi Emergjent tha se do të fillojnë të shpërndahen nga java e ardhshme.
“Nesër në mbledhjen e radhës të Qeverisë në detyrë do të diskutojmë për formimin e Fondit Emergjent dhe do të caktojmë tre ministra, të cilët nga java e ardhshme do të jenë gati për të ndihmuar të gjithë qytetarët që kanë nevojë. Nga ju kërkojë që sa më parë të shikoni dhe të nxirrni evidencë se cilat janë dëmet nga vërshimet dhe ato t’i paraqitni te Fondi Emergjent”, ka thënë Hoti./Gazeta Sinjali/