image Hoti: Po të ishte serioze Serbia do të përdornin rrugët legale për vaksinë dhe askush nuk do t’ua ndalonte këtë gjë

Politikë

Hoti: Po të ishte serioze Serbia do të përdornin rrugët legale për vaksinë dhe askush nuk do t’ua ndalonte këtë gjë

news image

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka deklaruar se janë në komunikim të vazhdueshëm për të siguruar vaksinën antiCOVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

“Jemi duke punuar shumë në këtë drejtim, jemi pjesë e marrëveshjeve prej ku do të furnizohemi me 20% të vaksinës po punojmë me Komisionin Evropian për të siguruar ato”, tha ai duke shtuar se “Nuk mund të jap datë pasi do të ishte jo korrekte nga ana ime”, tha ai.

“Për sasi që barten nëpër çanta dore nuk është furnizim me vaksina, furnizim është kur të vjen sasi e madhe dhe do të vaksinohen shumë qytetarë”.

“Ne vaksinën do ta marrim në raport me vendet e rajonit. Presim që së shpejti të marrim një sasi simbolike të caktuar që të vaksinojmë mjekët, të sëmurët kronikë, kategoritë më të rrezikuara. Ka marsi prilli besoj se do të mund të fillojë vaksinimi në masë”, tha Hoti.

Hoti po ashtu deklaroi se kanë zhvilluar komunikime direkte edhe me kompaninë Pfizer.

“Kemi zhvillu komunikim direkt me kompaninë Pfizer që të blejmë direkt vaksina nga ta, komunikimet vazhdojnë”.

Hoti ka folur edhe për vaksinat që erdhën nga Serbia në veri të vendit.

“Ne kemi një marrëveshje të Brukselit që na lejon të kemi një komunikim formal dhe zyrtar nëpërmjet zyrave ndërlidhëse. Po të ishte serioze Serbia dhe presidenti do të përdornin rrugët legale për vaksinë dhe askush nuk do t’ua ndalonte këtë gjë”.

“Nuk ka logjikë as shtetërore as humane që të lejohet ndalimi i vaksinave për vaksinimin e një pakice të caktuar”, tha Hoti.

“Kanë hyrë në mënyrë puro ilegale dhe për këtë kemi raportuar edhe në Bruksel që të diskutojnë me Serbinë për këtë çështje. Ne kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe organet e ligjit janë duke hetuar rrugët që kanë hyrë këto vaksina”, tha Hoti në Klan Kosova.

/Gazeta Sinjali/