Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se sapo të konfirmohet data dhe modalitetet për Samitin e Parisit do ta bëjë publike.
Hoti pritet të udhëtojë javën e ardhshme për në kryeqytetin francez për të marrë pjesë në samit.
Hoti tha se posa të konfirmohet data dhe modalitetet e samitit, do t’i bëjë publike.
“Po presim që të konfirmohet shpejt data dhe modalitetet për samitin e Parisit, sapo të konfirmohet unë do t’i bëjë të ditura publikisht”.
I pyetur se cili është plani i qeverisë sa i përket shfuqizimit të dy vendimeve për komisionin për demarkacionin me Malin e Zi, Hoti tha se në përputhje me ligjin do të procedojnë me komisionin e ri.
“Në përputhje me ligjin përkatës do të procedojmë me komisionin e ri për demarkacion të kufirit”, shkruan KP.
Ndryshe, më herët ishte përfolur që samiti i Parisit të mbahet më 17 korrik.
Një samit i tillë nuk u mbajt vitin e kaluar për shkak të taksës 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia.
Pala serbe nuk u kthye në tryezën e negociatave, duke e argumentuar vendimin me taksën në fuqi.
Kosova dhe Serbia ishin ftuar nga emisari amerikan për dialogun Richard Grenell, në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, por ai u anulua pas propozim-aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli për kinse krime lufte./ Gazeta Sinjali/