image Hoti: Po bëjmë të pamundurën për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

Kosovë

Hoti: Po bëjmë të pamundurën për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka raportuar sot në Komisionin për të drejtat e njeriut lidhur me personat e pagjetur.

Pas takimit, i pari i Qeverisë tha se kanë kërkuar që mbledhja e komisionit të mbahet me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së informatave që kanë ofruar në dispozicion komisionit parlamentar.

“I informuam në detaje me të gjitha aktivitetet që qeveria i ka ndërmarrë nga dita e parë prej se kemi marrë mandatin duke ndërtuar mbi punën e të gjitha qeverive sigurisht deri më tash, duke treguar në veçanti aktivitetet konkrete, planet që i kemi për të adresuar këtë çështje shumë të ndjeshme. Kemi kërkuar që mbledhja e komisionit të mbahet me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së informatave që ia kemi ofruar në dispozicion komisionit parlamentar. Të gjitha rastet veç e veç, për të gjitha aktivitetet që është duke i ndërmarrë komisioni qeveritar bashkë me bashkësinë ndërkombëtare me partnerët tanë që na kanë mbështetur deri në ketë pikë”, tha Hoti.

Tutje, kreu i ekzekutivit tha se kjo është çështja më e ndjeshme në shoqërinë në Kosovë dhe se po bëjnë të pamundurën që mbi 1 mijë e 600 persona që ende nuk janë identifikuar, të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe të mos mungojë asgjë derisa edhe personi i fundit të identifikohet.

/Gazeta Sinjali/