Kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se së shpejti do të organizohet një tryezë me të gjitha subjektet politike për të parë nëse ekziston vullneti që të bëhet një zgjidhje sa i përket postit të presidentit, shkruan Gazeta Sinjali.
Hoti në një konferencë për media tha se duhet të ndiqet një zgjidhje kushtetuese.
“Duhet të ndjekim vetëm një zgjidhje kushtetuese. Shpejt do të organizohet tryeza e partive politike për të parë disponimin e partive politike nëse ka disponim që të diskutohet për të gjetur një zgjidhje për presidentin e vendit”, tha ai.
“Secila prej partive duket ka qëndrime të caktuara. Nuk jemi ulur në tryezë të partive politike parlamentare për të parë nëse ka vullnet që të zgjidhet një president, dhe nëse ka vullnet cilat janë propozimet e partive. E dimë propozimin e AAK-së, tash po duket edhe të PDK-së. Besoj që ditëve të ardhshme organizohet kjo tryezë dhe të shohim se si mund të shkojmë përpara”.
Po ashtu ai theksoi se do të respektohet cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me votën e deputetit Etem Arifi dhe procesin e votimit të qeverisë në krye të së cilës është.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ju e dini qëndrimin tonë që e kemi pasur standard. Çfarëdo vendimi që del nga ajo gjykatë do ta pranojmë dhe do të sillemi në përputhje me atë vendim”, tha Hoti. /Gazeta Sinjali/