Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka rikujtuar raportin e BPRG-së për vitin 2022, ku sipas raportit ndërmjet viteve 2016-2022, kosovarët kanë shpenzuar rreth 89 milionë euro për të aplikuar për viza shengen nëpër ambasada.
Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se përgjegjësinë e kësaj kostoje duhet ta marrin ata që i vonuan vizat nga viti 2016 e deri tani.
“Për periudhën 2016-2022, kosovarët kanë shpenzuar rreth 89 milionë euro për të aplikuar për viza shengen nëpër ambasada (sipas raportit të fundit të BPRG të tetorit 2022). Ata që i vonuan vizat nga viti 2016 duhet të marrin përgjegjësinë”, ka deklaruari ish-kryeministri Hoti.
Ai në shkrimin e bërë nuk ka përmendur asnjë emër, por në mënyrë të tërthortë barra bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje. LDK-ja shpeshherë ka akuzuar VV-në për liberalizimit të vizave gjatë kundërshtimit të demarkacionit me Malin e Zi.