Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar ndërtimin e rrjetit që i mundëson Kosovës qasjen në gaz, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai i ka quajtur të dëmshme dilemat se a duhet të ndërtohet apo jo ky rrjet në Kosovë. Sipas tij gjatë qeverisjes së tij dhe gjatë kohës sa ka qeverisur Isa Mustafa nuk ka pasur dilema për bashkëpunimin me SHBA-në.
Ai ka shtuar se qeveria nuk po i kupton ose nuk po i neglizhon dimensionet e rëndësisë së ndërtimit të këtij rrjeti.
“Projekti i gazit ka dimension ekonomik dhe gjeopolitik. Duket se asnjëri nga këto dimensione nuk po kuptohen sa duhet apo po neglizhohen nga qeveria aktuale”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë
Është dëm i madh hapja e dilemave se a duhet të ndërtohet rrjeti që i mundëson Kosovës qasje në gaz.
Në Qeverinë Mustafa të viteve 2014-2017 janë plotësuar kushtet që Kosova të bëhet pjesë e MCC-së. Dhe ka disa vite që MCC, bashkë me institucionet e Kosovës, ka bërë studimet e nevojshme për diversifikimin e resurseve energjetike, përfshirë edhe furnizimin me gaz.
Gjatë kohës sa kam qenë kryeministër, kemi finalizuar listën e projekteve për tu përfshirë në financimin nga MCC, e cila është bazuar në studimet e parafizibilitetit. Në këtë listë ka qenë i përfshirë edhe rrjeti për qasje në gaz në Maqedoninë e Veriut.
As në Qeverinë Mustafa dhe as në Qeverinë time nuk kemi pasur asnjëherë dilema për bashkëpunimin me SHBA.
Është dëm i madh që tani hapen këto dilema, në veçanti pasi Presidenti Biden e ka njoftuar Kongresin se e ka ndarë shumën prej 200 mil dollarë për projekte të MCC-së në Kosovë.
Në vend që të shkohet përpara me projektin e gazit, hapet debati për rikostruim të TC Kosova A që është kancer ambientialist.
Projekti i gazit ka dimension ekonomik dhe gjeopolitik. Duket se asnjëri nga këto dimensione nuk po kuptohen sa duhet apo po neglizhohen nga qeveria aktuale.