Momentum të ri ekonomik e ka konsideruar marrëveshjen e Washingtonit, kryeministri Avdullah Hoti, duke theksuar se Kosova në pesë vjetët e ardhshëm mund të kthehet në një zonë të gjallëruar ekonomike me mijëra vende të reja të punës.
Sot, gjatë një takimi me Odat Ekonomike ai theksoi se investimi 1 miliardësh amerikan do të kthejë vendin në qendër infrastrukturore të nivelit rajonal.
“Si qeveri dhe si komunitet i biznesit, si oda ekonomike, bashkë të gjitha pa përjashtim, për të shfrytëzuar momentumin e jashtëzakonshëm që është krijuar me nënshkrimin e marrëveshjes së Washingtonit. Nga kjo marrëveshje janë së paku 1 miliard dollarë amerikan për financim të projekteve infrastrukturore që janë të listuara në marrëveshje. Hekurudha, autostrada, studime fizibiliteti për hekurudhën dhe projekte tjera infrastrukturore. Një skemë e veçantë për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe mesme, të cilat do të zhvillojmë së bashkë me odat ekonomike. Projekte të ndryshme me partneritet publiko-privat që mund të zhvillohen disa prej tyre janë të gatshme si projekte të Brezovicës ose stacioni në dalje të Prishtinës që e kthen Kosovën në qendër infrastrukturore në nivel të regjionit duke lidhur portin e Durrësit, Selanikut, Stambollit dhe gjithë Evropën qendrore. Për 5 vjet, ne mund të kthejmë Kosovën në një zonë të gjallëruar ekonomike me mijëra vende të reja pune cilësore”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi tha se interesi i Kosovës është që të ketë sa më shumë projekte pas marrëveshjes për normalizim ekonomik me Serbinë. Ai ka dhënë edhe detaje nga takimi në Beograd, ku tha se kanë trajtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe heqjen e barrierave tregtare.
“Interesi jonë është që sa më shumë të kemi projekte fizibile dhe projekte të cilat mund të nxisin përkrahjen e këtyre institucioneve. Ka një rol të rëndësishëm për sektorin privat, pasi një pjesë e projekteve që potencialisht mund të financohen, mund të jenë në formën e partneritetit publik-privat. Ne kemi një bashkëpunim me Odën Ekonomike të Serbisë, ku kemi trajtuar tema të ndryshme sidomos te pjesa e barrierave tregtare. Ne do të angazhohemi të kemi grupin punës për projektet me rëndësi për ne. Ndërsa që mendohet të punohet me odën serbe më shumë është në identifikimin e barrierave dhe eliminimin e pengesave që mund të jenë në realizimin e këtyre projekteve”, u shpreh Rukiqi.
E drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se mundësitë janë që pas marrëveshjes së Washingtonit të shohim hapje të vendeve të reja të punës.
“Si shtet dhe shoqëri, kemi kapacitete të mjaftueshme për të vepruar në disa drejtime në të njëjtën kohë, ashtu që efektet në ekonomi të jenë sa më të mëdha. Megjithatë, mundësitë që ne po i shohim, realisht, janë vendet e reja të punës që janë të nevojshme për vendin, por natyrisht edhe projekte të ndryshme infrastrukturore që kanë zënë vend në marrëveshjen e Washingtonit”, tha ai.
Krahas këtyre, dy kryetarët e odave ekonomike kërkuan miratimin sa më të shpejtë të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike./Gazeta Sinjali/