image Hoti pas lirimit të avokatit Berisha: Jam i bindur se s'ka paraqitur asnjë rrezik për t'i ikur drejtësisë

Drejtësi

Hoti pas lirimit të avokatit Berisha: Jam i bindur se s’ka paraqitur asnjë rrezik për t’i ikur drejtësisë

news image

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas lirimit të avokatit të njohur kosovar, Besnik Berisha duke thënë se pasiguria juridike është në nivele tepër shqetësuese, nëse edhe avokatët arrestohen për shkak të punës së tyre në mbrojtje të të pandehurve, raporton Gazeta Sinjali.

Hoti thotë se secili person pa asnjë dallim duhet të mbahet përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet personale, duke u bazuar në prova dhe ligje, teksa shton se avokati Berisha është ndër njohësit më të mirë të ligjit dhe procedurave.

“Në rastin konkret, avokati Berisha, i cili është edhe figurë publike, ka mundur të ftohej për intervistë sipas procedurave të zakonshme. Jam i bindur se ai nuk ka paraqitur asnjë rrezik për t’i ikur drejtësisë apo për tjetërsim të provave e ndikim mbi dëshmitarë. Kam bindjen se z.Berisha është ndër njohësit më të mirë të ligjit dhe procedurave që duhet të respektojë çdo avokat në ushtrimin e profesionit. Nëse ai ka bërë shkelje të kodit të etikës, atëherë janë mekanizmat e Odës së Avokatëve bazuar në ligjin përkatës për profesionin e avokatit”, tha ai.

“Ka pasur raste edhe në të kaluarën kur persona publik janë përndjekur si pjesë e “strategjive” për luftim të krimit e korrupsionit. Shumica prej tyre janë liruar dhe shteti ka paguar miliona euro të taksapaguesve të Kosovës.

Në bazë të asaj që është raportuar në media, rasti konkret duket se do të përfundojë njëjtë. Por, problemi është se po cenohet integriteti personal i personit e familjes së tij, si dhe po krijohet pasiguri juridike me pasoja për jetën ekonomike dhe shoqërore duke trembur iniciativën private, investitorët dhe kuadrot më të mira që lehtësisht mund ta gjejnë veten në tregje ndërkombëtare”, përfundoi deputeti Hoti.

/GazetaSinjali/