Ministria e Shëndetësisë ditë më parë ka përpiluar një manual për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit, i cili ka filluar të shpërndahet në të gjitha institucionet qendore dhe ato lokale si dhe te qytetarët, në mënyrë që të përdoret si instrument për ta parandaluar përhapjen e infeksionit.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se do të gjobiten të gjitha ato lokale apo institucione të cilat nuk e respektojnë në përpikmëri manualin.
“Është çështje ditësh kur ne do të shpërndajmë manualin në të gjitha institucionet dhe të gjitha ata që nuk e respektojnë në përpikmëri do të dënohen”, ka thënë ai në emisionin “Pressing” në T7, transmeton Gazeta Sinjali.
Hoti më tej ka thënë se masat kufizuese në vend mund të kthehen në një situatë kur mund të ketë rritje të rasteve në veçanti të rasteve klinike.
Ai theksoi se në një situatë të tillë, detyrimisht duhet të merren masa konkrete kufizuese për ta parandaluar keqësimin e situatës.
“Ne kemi përgatitur një manual për mënyrën se si duhet të sillemi. E kemi bukur të vështirë të kthehemi mrapa. Jeta e njerëzve është mbi të gjitha. Nëse respektohen udhëzimet e manualit në cilindo ambient, besoj se mund ta mbajmë situatën në kontroll. Rritja e numrit të rasteve, në veçanti rasteve klinike, nëse mbingarkohen kapacitetet në Klinikën Infektive, detyrimisht duhet të marrim veprime konkrete kufizuese për t’i parandaluar. Masa janë shumë të thjeshta, bartja e maskave në çdo vend, të mos përshëndetemi me duar për një kohe, derisa të largohet virusi”, ka deklaruar Hoti./Gazeta Sinjali/