image Hoti: Nuk mund të rreshtohemi prapa atyre që s'kanë ide për të dalë nga situata në veri

Politikë

Hoti: Nuk mund të rreshtohemi prapa atyre që s’kanë ide për të dalë nga situata në veri

news image

Ish-kryeministri i Kosovës njëherit deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova ka rënë në grackë të Serbisë, për shkak se Qeveria Kurti nuk i ka dëgjuar këshillat e aleatëve.

Hoti ka thënë se nuk mund të rreshtohen prapa atyre që nuk kanë ide si të menaxhohet situata e krijuar në veri.

Postimi i plotë i tij:

Kur aleatët nuk na mbështesin, pasojat nuk i bartin vetëm ata në krye të institucioneve. Pasojat i bartim të gjithë.

E lexova shqetësimin e Daniel Serverit se: “Kryeministri i Kosovës e ka idenë se çfarë do dhe  shpreson se ai do t’i përballojë pasojat”. Unë e ndaj shqetësimin e tij. Por problemi është se pasojat bien mbi përpjekjet tona, paqësore e luftarake, dhe rezultatet që kemi arritur deri tani në fuqizim, konsolidim e anëtarësimin e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Sigurisht se na duhet konsensus nacional për veprimet që ndërmerren në përballje me situatën e krijuar. Por nuk mund dhe nuk duhet të rreshtohemi prapa atyre që nuk kanë ide si do të menaxhohet dhe përmbyllet në interesin e Kosovës kjo situatë komplekse politike dhe e sigurisë.

Sigurisht se kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së Serbisë tek komuniteti serb në Kosovë. Por kësaj radhe, për shkak se nuk i morëm parasysh këshillat e aleatëve, Kosova ka rënë në grackën e Serbisë.

/GazetaSinjali/