Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se deklarimi për taksën që është bërë para mediave, i kryeministrit Albin Kurti nuk ka qenë i dakorduar brenda koalicionit. Ndërsa, në marrëveshjen finale me Serbinë nuk do të ketë tregti me territore.
Hoti shpreh i vendosur se Kosova nuk do të bëjë asnjë kompromis karshi Serbisë, si kompensim i njohjes reciproke.
Nënkryetari i LDK-sw thotë se pozicioni i qeverisë Kurti është i qartë, integriteti territorial dhe rendi kushtetues janë të pacenueshme. Sipas tij, pozicioni i qeverisë Kurti është i qartë, integriteti territorial dhe rendi kushtetues janë të pacenueshme.
“Tregti me territore nuk ka. Nuk mund të diskutojmë këtë temë, besoj që kjo temë është mbyllur në bisedat e Vjenës dhe shpalljen e pavarësisë. Ata që duhet të bëjmë tash është të fuqizojmë shtetin e Kosovës brenda. Integriteti territorial i vendit është i pacenueshëm. Rendi dhe organizimi kushtetues brenda vendit është i padiskutueshëm, i panegociueshëm. Ne jemi për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, i cili duhet të qojë tek njohja reciproke”, thotë ai.
Hoti u shpreh se janë duke bërë përpjekje me partnerin e koalicionit për të gjetur një zgjidhje për largimin e taksës.
“Ne po bëjmë përpjekje, në disa takime që kemi pas që të arrijmë të dakordohemi. Por deri në këtë moment që po flasim nuk kemi një dakordim për këtë çështje. Vendosja e çfarëdo mase bëhet vetëm përmes vendimeve të qeverisë. Deklarimi që është bërë para mediave, i kryeministrit Kurti nuk ka qenë i dakorduar brenda koalicionit që e kemi”, thotë zëvendëskryeministri Hoti.
Duke folur për kompensimin që mund t’i jepet Serbisë, sipas ministrit të Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, Hoti shprehu kundërshtimin e tij karshi kësaj ideje. Ai thotë s’ka hapësirë për asnjë kompromis që mund t’i bëhet shtetit fqinj.
“Unë besoj që duhet të jemi të kujdesshëm të gjithë zyrtarët publik në deklarimet e tilla. Tepër të kujdesshëm. Ajo që është e rëndësishme është që qëndrimi i kësaj Qeverie, këtij koalicioni qeverisës është i qartë karshi marrëveshjes me Serbinë. Nuk ka hapësirë për asnjë kompromis që ne mund të bëjmë si shoqëri, unë ftoj të gjithë kolegët në Qeveri që të jenë të kujdesshëm me deklarimet e tyre publike”, u shpreh Hoti.
Ndërsa , Hoti u shpreh i bindur se do të vazhdojnë të bashkëqeverisin me LVV-në në ekzekutiv për t’i realizuar reformat e premtuara.
“Në bashkëqeverisje jemi bashkë. Besoj që deri tash ka funksionuar mirë. Jam i bindur që edhe më tutje do të vazhdojmë të qojmë përpara reformat për të cilat jemi dakordu si dy parti politike në këtë koalicion”, thotë ai në një intervistë për kp.
Sipas Hotit, të gjitha masat reciproke që pritet të ndërmerren ndaj Serbisë, duhet të kenë mbështetjen e plotë të partnerëve ndërkombëtar./Gazeta Sinjali/