Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, së bashku me disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot kanë takuar Kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset), Grupin homolog të Miqësisë Izrael-Kosovë, Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje dhe shumë deputetë të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Hoti këtë vizitë e quajti historike, ndërsa theksoi se Kosova dhe Izraeli duhet të vendosin partneritet strategjik.
Ai tha se që nga njohja e Kosovës nga Izraeli më 2020, janë shkëmbyer vizita dhe janë nënshkruar marrëveshje në disa sektorë.
“Në takimin me Kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) shtruam këto çështje për diskutim:
(1) heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të udhëtojnë lirshëm, e cila gjë u mirëprit jashtëzakonisht mirë;
(2) kërkuam që sa më parë të hapet ambasada izraelite në Prishtinë;
(3) propozuam nënshkrimin e disa marrëveshjeve ekonomike për të nxitur bashkëpunimin tregtar dhe investimet mes dy vendeve tona, siç janë: marrëveshja për mbrojtjen e investimeve, marrëveshja për tregti të lirë dhe marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë mes dy vendeve;
(4) marrëveshja për bashkëpunim mes dy parlamenteve”, tregoi Hoti.
Po ashtu, ai njoftoi se në tetor të këtij viti, kryetari i Kuvendit të Izraelit (Knesset) pritet të vizitojë Kosovën
“Të gjitha këto marrëveshje vendosin bazat për të hyrë në bashkëpunim strategjik me Izraelin, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në shumë fusha të tjera”, shtoi ndër tjera.