Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, bëri të ditur se masat e reja anti-COVID-19 pritet të miratohen nga qeveria në detyrë dhe të hyjnë në fuqi nga nesër, 23 dhjetor 2020, shkruan Gazeta Sinjali.
Njoftimin për miratimin e masave të reja kundër përhapjes së pandemisë, Hoti e bëri gjatë një takimi virtual që zhvilloi sot me komunitetin e biznesit në vend.
Komuniteti i biznesit ofroi mbështetje për masat e reja antiCOVID-19 dhe insistoi që kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin 2021.
Kryeministri në detyrë tha se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin.
Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, u pajtuan se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia COVID-19./Gazeta Sinjali/