image Hoti: Nëpër Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin

Hoti: Nëpër Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin

news image

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka apeluar qytetarët e Prishtinës që të dalin të votojnë masivisht në këtë zgjedhje, shkruan Gazeta Sinjali.

Hoti tha se për këto tetë vite, qytetarëve të kryeqytetit u është servuar propagandë.

“Ju keni arsye më shumë se kushdo tjetër ta mbështesni Lidhjen Demokratike të Kosovës më 14 shkurt. Mos e falni besimin tuaj sikurse në vitin 2014 dhe 2017. Prej tetë vitesh, në vend të qeverisjes, juve qytetarë të nderuar të Prishtinës iu servua propaganda. Qytetarët e Prishtinës sot kanë shumë më shumë arsye të dalin masovisht në përkrahje të Lidhjes Demokratike.”

“Në vizionin tonë dhe me projektet konkrete tashmë të siguruara, nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Prishtina do të shndërrohet, jo vetëm një kryeqytet modern, qendër administrative, e arsimit, e kulturës, e rinisë dhe sportit, por edhe një nyje rajonale të zhvillimit ekonomik e teknologjik”, tha Hoti në Facebook.

Hoti tha se në Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin, për ta bërë kryeqytetin e Kosovës nyje lidhëse për hekurudhat moderne të rajonit dhe më gjerë.

“LDK-ja nuk ka bashkëjetuar dhe nuk do të bashkëjetojë me krimin e korrupsionin. Prandaj, rivalët tanë e kanë të vështirë të punojnë me ne. Sepse nuk mund ta durojnë vullnetin e LDK-së për të punuar drejt dhe për të qeverisur me duar të pastra. Ne gjithmonë kemi mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Duke cituar presidentin Ibrahim Rugova, Hoti apeloi te prishtinasit që të vishen bukur, të marrin të afërmit dhe miqtë e tyre dhe të shkojnë ta votojnë LDK-në.

“Më 14 shkurt, ne ua hapim dyert të gjithë qytetarëve, I thërrasim të dalin në zgjedhje dhe të votojnë kandidatët tanë për deputetë në numrin 132. Sepse kjo është adresa e zgjidhjes së shqetësimeve të tyre. Dhe u themi se shqetësimi i tyre për gjeneratat e reja mund të zgjidhet vetëm duke votuar LDK-në në këto zgjedhje”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/