image Hoti në tri interpelanca

Politikë

Hoti në tri interpelanca

news image

Deputetët e Kosovës para vetes do të kenë serish një agjendë të ngjeshur të punimeve në legjislativ.

Në vazhdimin e seancës së parë sot nga ora 09:00 janë paraparë të votohen shtatë projektligje.

Në rend dite për votim janë Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit- nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Deputetët pritet të votojnë edhe Projektligjin për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e impiantit të ujërave të zeza në Gjilan, Projektligjin për peticione, Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin Nr. 04/L-122 si dhe Ligjin Nr. 003/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Kosovë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 03/L-256, si dhe shqyrtimi i parë i Projekt Kodit Civil të Kosovës.

Në seancën e dytë plenare që do të nisë në ora 10:00, do të mbahet interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Interpelanca e dytë me kryeministrin Hoti do të mbahet sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”.

Hoti do t’iu përgjigjet serish pyetjeve të deputetëve në interpelancën e tretë, me kërkesë të deputetit Rexhep Selimi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe./ Gazeta Sinjali/