Shfrytëzimi i Liqenit të Ujmanit ka qenë njëra ndër pikat më të diskutuara në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u nënshkrua në Washington, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo pikë u ndryshua në draftin e dytë, me këmbënguljen e delegacionit të Kosovës.
Lidhur me këtë pati deklarime se çështja e Ujmanit do ta rrëzojë Qeverinë e Kosovës. Po ashtu u raportua se ndryshimi i kësaj pike të marrëveshjes u bë për shkak të presionit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ndaj kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.
Por, ky i fundit i ka hedhur poshtë këto deklarime, duke shtuar se nuk janë të vërteta.
“Ndryshimi i pikës që lidhet me Ujmanin nuk ka lidhje me presionin e AAK-së. Është drafti i dytë që na është prezantuar pas një pauze te drekës. Ne e kemi pranuar dhe më pas është draumatizuar nga AAK-ja. Nga drafti i parë, drafti i dytë ka pasur dallime. Jo vetëm për pikën e Ujmanit, por edhe për disa pika të tjera, ne kemi kërkuar që të ndryshohen. Por sa i përket deklarimeve që për shkak të presionit të AAK-së, këto nuk janë aspak të vërteta”, ka thënë Hoti në T7.
Më tej, Hoti ka shtuar se me kreun e AAK-së ka diskutuar ditën e nënshkrimit të marrëveshjes, herët në mëngjes. Ndërsa, me ministrin e Drejtësisë nga radhët e kësaj partie, Hoti tha se ka komunikuar vazhdimisht, meqë ka qenë pjesë e delegacionit dhe se përmes tij është njoftuar Haradinaj për zhvillimet atje. /GazetaSinjali/