Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas sulmit tragjik në veri, , ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës, duke e dënuar atë.
Ish-kryeministri i Kosovës e ka quajtur si sulm terrorist vrasjen që ka ndodhur të dielën.
”Shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe kolegëve të policisë për rreshterin që humbi jetën në krye të detyrës në përballje me krimin. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”.
”Ky sulm terrorist mbi Policinë e Republikës së Kosovës është dëshmi se struktura kriminale, që sigurisht mbështeten nga fqinji verior, përmes krizave dhe konflikteve duan të pamundësojnë paqen dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës dhe rajonit”.
”Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të punojnë ngushtë me aleatët, SHBA dhe BE, në gjetjen dhe dënimin e kriminelëve dhe urdhërdhënësve të tyre. Me maturi dhe vendosmëri, si dhe në koordinim me aleatët, duhet të evitohet përshkallëzimi i gjendjes, e cila iu intereson këtyre strukturave kriminale”, ka shkruar Hoti në Facebook.