Ish-kryeministri i Kosovës, njëherit deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, ku sot gjatë ditës u arrestuan dy zyrtarë të këtij dikasteri.
Hoti pas deklaratës së ministres, Rozeta Hajdari pak më herët para mediave ku u shpreh se gjatë bastisjes Policia u paraqit pa certifikatë të sigurisë sekrete, ka kërkuar që ky pushtet të largohet sa më parë, teksa shtoi se me rezervat shtetërore është bërë pazar nga persona privat.
“Me rezervat shtetërore është bërë pazar nga persona privat (sipas deklarimit në media). Ndërkaq, Ministrja sot e ka hallin se zyrtarët policorë, të cilët sot i kanë konfiskuar materialet nga Ministria, nuk kanë certifikatë të sigurisë për qasje në dokumentacion për rezervat shtetërore. Ky pushtet e ka humbur rrugën dhe duhet larguar sa më parë”, ka shkruar Hoti në një postim në “Facebook”.
Kujtojmë se ministrja e MINT, tha se nuk besojnë në keqpërdorim të detyrës nga këta zyrtarë.