image Hoti, Kurtit: I pata kërkuar të mos e nënshkruante vendimin për kufizimin e lëvizjes, dyshonim për shkelje kushtetuese

Kosovë

Hoti, Kurtit: I pata kërkuar të mos e nënshkruante vendimin për kufizimin e lëvizjes, dyshonim për shkelje kushtetuese

news image

LDK ka refuzuar takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, rreth pandemisë Covid-19. Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, që sipas tij nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh dhe që ka shkelur dy herë kushtetutën.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se masat për kufizim të lëvizjes janë marrë pa u konsultuar me askënd.

“Sa unë isha në qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshime për shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ky ndërmori masa në kundërshtim me atë aktgjykim si dhe masa për mbështetje për biznese prapë pa konsultim me askënd”, ka shkruar Hoti.

Ai madje tha se plotë vendime të qeverisë imponoheshin nga Kurti, pa asnjë konsultim paraprak, duke i kthyer ministrat në makineri votimi.

“Pak humor, por është fakt se disa herë më parë kanë ardhur ministrat në takimin e qeverisë e mandej iu është shpërndarë agjenda e takimit. Prandaj, edhe kjo tryezë që ka ftuar nuk shërben për asgjë. Sepse ai nuk është i gatshëm të punojë me të tjerët, sic u pa në 52 ditë të qeverisjes me qëndrimin e tij autoritar dhe vendimet arbitrare, që quan në ndërprerjen e bashkëpunimit me LDK dhe shkarkimin e tij”, ka shkruar Hoti

Ai tha se në vend që ai vetë të kërkojë që sa më parë të dorëzojë detyrën, pasi 82 deputetë ia kanë hequr besimin që të qeverisë me vendin, ai bënë lloj-lloj maniverzime procedurale për të qëndruar në pushtet.

“Prandaj, duhet të themelohet sa më parë një Qeveri e re që nuk e shkel kushtetutën, që është profesionale, komunikuese me të gjithë, me mentalitet demokratik, që ndërton konsensus shoqëror, që bashkëpunon me bizneset, akademinë, shoqërinë civile dhe në veçanti me miqtë ndërkombëtarë, për të tejkaluar krizën me pandeminë dhe për të rimëkëmbur ekonominë” ka shkruar Hoti./Gazeta Sinjali/