Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se Kosova nuk po qeveriset dhe se krizat e reja po i mbulojnë të vjetrat, shkruan Express.
Hoti thotë se Kurti më shumë po rri jashtë Kosovës dhe se përmes konferencave për media po i menaxhon krizat.
Tutje në reagimin e tij Hoti ka listuar grevën në arsim, krizën me rrymë, inflacionin dhe në fund edhe çështjen e dialogut.
Hoti ka thënë se për atë që po diskutohet në Bruksel dhe për atë se çfarë po i kërkohet Kosovës, opozita po njoftohet nga emisarët e negociatave, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “zero transparencë”.
Reagimi i plotë:
Kosova nuk po qeveriset. Krizat e reja po i mbulojnë të vjetrat. Kreu i Qeverisë, që më shumë rri jashtë vendit se brenda, mban konferenca për media për të menaxhuar krizat, e jo për të promovuar projekte e punë të reja. Zyrtarët e Qeverisë e nisin dhe e mbyllin ditën pa asnjë punë të kryer.
1. GREVA NË ARSIM: Asnjë përpjekje nga qeveria për të parandaluar grevën. Viti i ri shkollor mund të mos fillojë sipas planit. Qeveria nuk po bisedon me sindikata për të gjetur një zgjidhje që i merr parasysh kërkesat e sindikatave dhe mundësitë buxhetore.
2. KRIZA ME RRYMË: Asnjë plan se si do të kalojmë dimrin që po vjen. Situata është kritike në mes të verës. Askush nuk di pse në mes të verës ka reduktime kur konsumi i energjisë është relativisht i ulët. Çmimi i drurit dhe peletit, si alternativë për ngrohje, është dyfishuar që tani. Ndërmarrjet e energjisë elektrike (KEK, KEDS, KESKO e KOSTT) janë në kaos sa i përket borxheve ndaj njëra-tjetrës.
3. INFLACIONI: Asnjë masë nuk është ndërmarrë – as rritje e pagave e as ulje e përkohshme e tatimeve. Inflacioni ka arritur në 19%, e jo 14% siç e nxjerrin shifrat zyrtare. Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka paralizuar aktivitetin ekonomik të shumë firmave. Asnjëherë nuk është takuar “Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik” për të diskutuar për sfidat e bizneseve.
4. DIALOGU: Transparenca është zero. Askush nuk di se çfarë po bisedohet në Bruksel. Opozitën e informojnë ndërmjetësit e dialogut se çfarë po ndodh dhe çfarë po i kërkohet Kosovës.