Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka kujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001.
Hoti ka thënë se kujtimi e nderimi për viktimat dhe familjet e tyre është nderim dhe vlerësim për lirinë dhe demokracinë.
“19 vjet më parë, më 11 shtator 2001, ndodhi sulmi terrorist ndaj kullave binjake në New York, ku humbën jetën rreth 3 mijë persona. Kujtimi e nderimi për viktimat dhe familjet e tyre është nderim dhe vlerësim për lirinë, demokracinë dhe Zotin! Kullat binjake ishin edhe shtëpitë tona, gjersa Amerika është edhe vendi ynë, andaj viktimat dhe familjet e tyre janë edhe njerëzit tanë”, ka shkruar Hoti.
I pari i Qeverisë, tutje ka shkruar se “ky sulm terrorist tentoi që të godiste zemrën e lirisë dhe të demokracisë së botës, pra tentoi të na godiste edhe ne, mirëpo jo vetëm që nuk ia arriti ta bënte një gjë të tillë, por e bëri krejt të kundërtën, pasi që i fuqizoi të gjitha zemrat e lirisë dhe të demokracisë në një të vetme, për të na bërë një herë e mirë të pathyeshëm përballë kësaj të keqeje globale”.
Po ashtu ai ka shkruar në profilin e tij në Facebook se “Kosova si vend i vogël, mirëpo me miq të mëdhenj, përherë bashkënden për këtë ngjarje dhe me aq sa mundet e përtej saj, pa kursyer asgjë, mbetet aleate e fuqishme e miqve të saj perëndimorë në luftën e përhershme kundër terrorizmit. Zoti e bekoftë Amerikën dhe aleatët e saj! Zoti i bekoftë viktimat dhe familjet e tyre!”. /Gazeta Sinjali/