image Hoti kryeministër, Kurti në opozitë

Politikë

Hoti kryeministër, Kurti në opozitë

news image

Nga mbrëmë ka ndryshuar rrjedha politike në Kosovë. Me shumicë votash, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese e kanë cilësuar të drejtë dhe në përputhje me kushtetutën e vendit vendimin e presidentit Hashim Thaçi për t’ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë së re Avdullah Hotit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Aktgjykimi i Kushtetueses e ka rrëzuar çdo pretendim të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), që kërkonte zgjedhje të reja pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në vendimin e arsyetuar të Kushtetueses shpjegohet se dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me kushtetutën dhe se votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj qeverisë nuk çon në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit, por si në këtë rast, mundëson formimin e një qeverie të re.

Kësisoj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të duhet ta lëshojë karrigen e pushtetit për t’u kthyer sërish në opozitë. Vendin e tij pritet ta marrë Avdullah Hoti, i cili paraprakisht ia ka dëshmuar presidentit se i ka votat e mjaftueshne për ta formuar qeverinë e re, shkruan Gazeta Sinjali.

Pasi Albin Kurti i shkruante “zgjedhje” në cdo kthim letre presidentit që ia kërkonte emrin e propozimit për mandatar të ri, ky i fundit më 30 prill vendosi që ta mandatojë të nominuarin e LDK-së, Avdullah Hotin për kryeministër.

Në po të njëjtën ditë, LVV u ankua në Kushtetuese dhe arriti ta parandalojë formimin e shpejtë të Qeverisë Hoti, pasi gjykata vendosi që ta marrë masën e përkohshme për ta pezulluar dekretin e presidentit.

Ky pezullim është anuluar me publikimin e aktgjykimin mbrëmë, që mundëson formimin e qeverisë së re me LDK-në, AAK-në, Nismën, Listën Serbe dhe minoritetet tjera, dhe 8 çon për herë të parë në opozitë së bashku LVV-në e PDK-në.

Pas publikimit të këtij aktgjykimi, erdhën reagime të ashpra nga LVV, që edhe ashtu kishin paralajmëruar se nuk do ta respektonin një vendim që s’është në favor të tyre. Për këtë, ata paraprakisht dje gjatë ditës i mblodhën rreth 5 mijë veta në sheshet e kryeqytetit për një test-protestë, organizim të cilin e quajtën “performancë”.

Nënkryetarja e kësaj partie dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar eskalim të situatës, derisa nuk përjashtohet as rezistenca fizike e Lëvizjes së Kurtit për t’i lëshuar zyret e qeverisë. Këtë opsion ata nuk e kanë mohuar asnjëherë kur po pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese. /Gazeta Sinjali/