Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se të enjten e ardhshme do të shënohet Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës, të cilën ilirët e vjetër, e shënonin përvjet si festë kulturore popullore rreth datës 23 tetor, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti u shpreh se këtë vit për shkak të rrethanave specifike të pandemisë COVID-19, kjo festë do të shënohet në mënyrë simbolike, me një numër të kufizuar të të ftuarve.
“Sivjet, për shkak të rrethanave specifike të pandemisë COVID 19, këtë festë do ta shënojmë në mënyrë simbolike, me një numër të kufizuar të të ftuarve. Mirëpo, në të ardhmen, këtë festë kulturore të traditës sonë të begatë do ta shënojmë së bashku, dhe me miqtë tanë të shumtë, ashtu siç e shënonim në kohën e Presidentit Rugova, ashtu siç e kanë shënuar të parët tanë!”, shkroi Hoti.
Më tej, ai theksoi se kjo ditë na përkujton se duhet t’i përkushtohemi edhe më shumë tokës së Kosovës dhe prodhimeve të shumta që na jep ajo. /Gazeta Sinjali/