Ish- zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se në takimin e sotëm me Odën Ekonomike të Kosovës dhe atë Amerikane, qëndrimi i LDK-së ishte që të parandalohet mbyllja e bizneseve, si dhe të kenë mbështetje afatgjate për investime të reja.
Hoti ka theksuar sesa i përket mbështetjes së menjëhershme të bizneseve duhen masa që këto biznese të mos dalin nga tregu për shkak të krizës.
“Sa i përket mbështetjes së menjëhershme, duhet masa të shpejta për të parandaluar daljen e firmave nga tregu dhe mbylljen e tyre. Nëse firmat mbyllen tani për shkak të krizës, do të jetë shumë më e kushtueshme për shtetin të kthejë prapë ato në treg. Masat e propozuara nga Qeveria në detyrë janë jo komplete dhe të pazbatueshme në praktikë. Ato masa kërkojnë ndryshimin e Ligjit të Buxhetit për 2020, e cila gjë nuk mund të bëhet me një Qeveri në detyrë”, tha Hoti.
Hoti gjithashtu tha se për bizneset e mëdha ekziston një mënyrë që të shpëtohen përmes kredive, ndërsa për bizneset e vogla mbështetja duhet të jetë e drejtpërdrejt, duke financuar kapitalin fizik dhe kostot operative afatshkurta./ Gazeta Sinjali/