Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga ai, është e përkushtuar që me tërë potencialin të punojë për të ardhmen e fëmijëve, pa dallim etnie apo ngjyre, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë deklaratë, kreu i ekzekutivit e ka bërë ne konferencën për lansimin e rezultateve të Anketës Globale të Treguesve të Shumëfishtë 2020.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që me tërë potencialin e vet të punojë për t’u siguruar fëmijëve tanë, pa dallim etnie, ngjyre e besimi, të gjitha mundësitë që t’i jetojnë dhe t’i shijojnë të drejtat që u takojnë dhe u garantohen edhe me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Hoti.
Tutje, ai ka thënë se “Mungesa e kushteve elementare të jetesës, mungesa e ushqimit dhe e higjienës, si dhe mungesa e perspektivës për zhvillim dhe edukim janë një realitet i hidhur, me të cilin ende ballafaqohen fëmijë të shumtë në vende të ndryshme të botës”.
Ndërsa, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Hoti po ashtu theksoi se si komb, kanë arsye të veçantë të krenohen me nobelisten tonë të paqes, Nënën Terezë, pasi që ajo, në Kalkutën e largët punoi me vullnet dhe sakrificë të jashtëzakonshme për fëmijët dhe njerëzit e tjerë të braktisur të atij vendi.
“Sipas shëmbëllimit të saj, le të punojmë të gjithë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të mbarë botës”, tha ndër të tjera Hoti.