image Hoti i quan Osmanin e Kurtin anarkistë, hipokritë e mashtrues

Politikë

Hoti i quan Osmanin e Kurtin anarkistë, hipokritë e mashtrues

news image

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka quajtur anarkistë, hipokritë e mashtrues, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Hoti në një postim në Facebook, thotë se Presidentja i ka shtyer zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese.

“Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri”, shkruan Hoti mes tjerash, ndërsa shton se e kupton që zgjidhje tjetër nuk ka pasur.

Ish-kryeministri përmend 4 shtatorin 2020, ku siç thotë ai, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pati pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa e quan veprim strategjik këtë situatë, ndryshe nga ajo e presidentes Osmani për shtyrjen e zgjedhjeve.

Postimi i plotë:

Koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën

Më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pata pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin.

Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë.

Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri.

Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata:

– Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në.

– Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri.

Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre.

/GazetaSinjali/