image Hoti i përgjigjet Kurtit pas deklaratës se shteti duhet t'i mbrojë të akuzuarit e Speciales

Kosovë

Hoti i përgjigjet Kurtit pas deklaratës se shteti duhet t’i mbrojë të akuzuarit e Speciales

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, i cili kërkoi që qeveria t’i mbështesë financiarisht ish-krerët e UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime lufte nga prokurorët e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Hoti ka thënë se baza ligjore për një mbështetje të tillë është krijuar që kur është themeluar Gjykata Speciale.

“Kurti duhet ta dijë se kur është themeluar Gjykata Speciale, është kriju baza ligjore, që ne në mënyrë institucionale të ofrojmë mbështetje financiare për personat që akuzohen në këto dhoma”, ka deklaruar Hoti në SyriTV, transmeton Gazeta Sinjali.

Kujtojmë që Kurti kishte thënë që shteti i Kosovës duhet të organizohet për t’ju dalë në mbrojtje ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së që po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Por që sipas kreut të VV-së, këtë nuk mund ta bëjë Qeveria Hoti.

“Shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë se i kanë avokatët e tyre secili, por nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë atë.

Me fjalë tjera, kjo është edhe punë qeverie, kjo është sidomos punë qeverie. Është Qeveria e Kosovës ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces. Mbrojtja dhe bashkërendimi duhet të bashkërendohen e të sintetizohen. Për fat të keq, Kosova nuk ka një qeveri që mund ta bëjë këtë”, kishte deklaruar Kurti./Gazeta Sinjali/