Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në takimin virtual ku u diskutua për Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje – Konventa e Stambollit, shkruan Gazeta Sinjali.
Me këtë rast ai theksoi se dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut. Ndërsa nënvizoi se, neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës numëron disa konventa ndërkombëtare drejtpërsëdrejti të aplikueshme, sikurse:
Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës dhe së fundmi këtë vit kemi shprehur vullnetin dhe gatishmërinë tonë për ta bërë pjesë të Kushtetutës sonë edhe Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje – e njohur si Konventa e Stambollit.
Kryeministri Hoti vlerësoi se, fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është masë parandaluese e cila i largon ato nga cikli i dhunës dhe në të njëjtën kohë mbron jetën, ndërsa theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar të hartojë Strategjinë e re (2021) për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.
Fjalimi i tij i plotë:
Te nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj
Jemi ende në kuadër të fushatës së 16 ditëve të aktivizmit e cila përfundon nesër, (10 dhjetor) me shënimin e Ditës Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e cila na rikujton edhe një herë se dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut.
Kosova ka një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse sa i përket dhunës në familje, përfshirë këtu ekzistimin e një sërë ligjesh, politikash dhe mekanizmash specifik institucional për t’i adresuar rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.
Konventat ndërkombëtare konsiderohen drejtpërsëdrejti të aplikueshme në Kosovë, dhe në rast të ndonjë konflikti potencial me dispozitat ligjore vendore, ato kanë prioritet. Specifikisht, neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës numëron disa konventa ndërkombëtare drejtpërsëdrejti të aplikueshme, sikurse:
Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës dhe së fundmi këtë vit kemi shprehur vullnetin dhe gatishmërinë tonë për ta bërë pjesë të Kushtetutës sonë edhe Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje – e njohur si Konventa e Stambollit.
Po ashtu, vlen të ceken edhe një sërë ligjesh tjera të cilat lidhen me të drejtat, në veçanti me mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës në familje, sikurse Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore i Kosovës, Ligji nr. 03/L-182 për Mbrojtje nga Dhuna në Familje (2010) si dhe ndryshimet legjislative dhe përfshirja e përkufizimit të dhunës në familje në Kodin e ri Penal të Kosovës (2019) të cilat besojmë se do të ndikojnë në rritjen e nivelit të zbatueshmërisë së ligjeve në praktikë, ndjekjen penale të dhunuesve si dhe lëshimin e sanksioneve adekuate për rastet e dhunës nga gjykatat.
Trajtimi i fenomenit të dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje është në fokus të agjendës së Qeverisë së RKS-së, ku ne si institucione do të ndërmarrim hapa konkret në drejtim të përplotësimit të kornizës ligjore dhe krijimit të mekanizmave të tjerë institucional sipas kërkesave të Konventës së Stambollit si dhe në vazhdimësi do të investojmë në procese të ngritjes së kapaciteteve të mekanizmave që ofrojnë mbrojtje nga dhuna në familje dhe ajo në bazë gjinore.
Ky investim kërkohet nga ne sepse të dhënat statistikore, rastet nga tereni, na tregojnë se duhet të kemi qasje më të koordinuar ndërinstitucionale, përgjigje më efikase që të mbrojmë jetën dhe ta ofrojmë ndihmën e domosdoshme në afat kohor të shpejtë, me shërbime cilësore dhe trajtim korrekt që në qendër të reagimit institucional vendos interesin e viktimës, dhe kur flasim për dhunën duhet të kemi parasysh edhe format e fshehura të saj si dhuna psikologjike, emocionale dhe ekonomike e cila mund të eskalojë në dhunë fizike.
Përgjegjësia institucionale për ta zbatuar, aplikuar konventën e Stambollit në Kosovë kërkon nga ne të ndërmarrim hapa të shpejtë që nga amandamentimi dhe harmonizimi i kornizës ligjore, kërkon efikasitet në tërë hallkat institucionale që trajtojnë dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore. Përveç se kërkon një qasje të integruar dhe ofrimin e shërbimeve shtesë për viktimat e dhunës në familje, kërkon kujdes të shtuar dhe masa konkrete në trajtimin, rehabilitimin dhe re- integrimin e tyre.
Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është masë parandaluese e cila i largon ato nga cikli i dhunës dhe në të njëjtën kohë mbron jetën, dhe synimi jonë është që të mbrojmë jetën dhe dinjitetin e të gjitha atyre grave dhe vajzave të cilat ndjehen të rrezikuara nga çfarëdo lloj dhune.
Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që ka fuqizimi ekonomik ne si Qeveri jemi angazhuar që në të gjitha masat tona për rimëkëmbje ekonomike të kemi të integruar komponentën gjinore duke filluar nga fondi 2 milionësh për Agjencinë për Barazi Gjinore përmes Masës 10, tek Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim të përkrahjes së ndërmarrësisë me pronësi apo me bashkëpronësi (së paku 50%) të grave ndërmarrëse, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) janë targetuar bizneset dhe iniciativat e udhëhequra nga gratë apo ato që punësojnë më tepër gra ( 29 përfituese gra janë mbështetur në vlerë prej – total 400 000 euro ) .
Jemi përkujdesur dhe do të vazhdojmë të mbështesim punën e strehimoreve që ofrojnë përkujdesje për viktimat e dhunës duke ju siguruar kontinuitet dhe qëndrueshmëri financiare për punën e tyre.
Mirëpresim gatishmërinë për bashkëpunim të Zyrës së Këshillit të Evropës në RKS dhe rekomandimet e takimit të sotëm të cilat do të na shërbejnë në avancimin e bashkëpunimit mes jush me akterët institucional si: Koordinatorin Nacional për monitorimin e zbatimit të strategjisë për Mbrojtje nga dhuna në familje (notë: zv Ministri i Drejtësisë z. Dushi), Agjencinë për Barazi Gjinore, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Zyrës së Mbrojtësve të Viktimave, policisë dhe Gjyqësorit, në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, përgjigjes adekuate ndaj një nga fenomeneve më shkatërruese të shekullit tonë- dhunës në bazë gjinore.
Ne si Qeveri mbesim të përkushtuar të hartojmë Strategjinë e re (2021) për Mbrojtje nga Dhuna në Familje -nën udhëheqjen e Koordinatorit Nacional, në sigurimin e mjeteve adekuate financiare dhe njerëzore që kornizën ligjore dhe strategjinë e ardhme të RKS-së ta zbatojmë në përpikëri.
Ju faleminderit!