image Hoti flet online me kryetarët e komunave, u kërkon mobilizim për luftimin e pandemisë

Politikë

Hoti flet online me kryetarët e komunave, u kërkon mobilizim për luftimin e pandemisë

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka zhvilluar një bashkëbisedim online me Asociacionin e Komunave të Kosovës, gjatë të cilit ua ka prezantuar kryetarëve të komunave masat e reja për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Hoti mori përkrahje të plotë nga kryetarët e komunave për masat që ka marrë Qeveria e Kosovës pas shtimit të të infektuarve me COVID-19, të cilët theksuan gatishmërinë e plotë për t’i bashkërenduar të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që situata e krijuar të përballohet sa më mirë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Kemi paraparë mobilizimin e stafit shëndetësor në nivel vendi, duke përshirë sipas nevojave edhe ata profesionistë shëndetësorë që nuk janë të angazhuar momentalisht. Në veçanti, do të shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet COVID 19”, tha Hoti duke kërkuar nga kryetarët e komunave që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për riaktivizimin e Shtabeve emergjente komunale për menaxhimin e pandemisë.

Po ashtu, Hoti theksoi se qeveria do të sigurojë ndarjen e buxhetit për angazhimin e personelit shëndetësor shtesë dhe për pajisjet mbrojtëse të personelit shëndetësor.

“Nga data 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, kemi ndaluar çfarëdo qarkullimi të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri, përveç në raste urgjente shëndetësore, sepse ekspertët e shëndetësisë këto komuna i kanë vlerësuar si vatrat më të prekura nga COVID-19”, tha Hoti, duke kërkuar bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në mes të Qendrës së Situatave dhe Shtabeve komunale.

Ai tha se komunat mund të angazhojnë, sipas nevojave të tyre, inspektorë shtesë, të cilët duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e parapara ndaj personave fizikë dhe juridikë, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave, sipas kompetencave që ua japin ligjet në fuqi.

Ndërsa, sa i përket rifillimit të procesit mësimor në institucionet shkollore, në muajin shtator, Hoti ritheksoi se Qeveria e Kosovës do t’u përmbahet protokollove të OBSH-së dhe me kohë do të dalë me qëndrim për këtë çështje.

Shumica e kryetarëve të komunave shtruan si shqetësim procedurat e testimit për COVID-19, ndërsa Hoti i njoftoi ata se Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, do të mundësojë decentralizimin e këtij procesi, nëpërmjet licencimit të institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID-19 në përputhje me ligjet në fuqi. /Gazeta Sinjali