Për të nderuar veprën heroike të zyrtarit policor Enver Zymberi, Policia e Kosovës sot ka organizuar ceremoninë e nderimit të homazheve pranë lapidarit të heroit në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Në këtë ceremoni përkujtimore mori pjesë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Të pranishëm ishin edhe familjarët e heroit Enver Zymberi të cilëve kryeministri Hoti u shprehi mirënjohjen më të lartë për veprën e policit Zymberi.
“Kam ardhur për të bërë nderime për Enver Zymberin i rënë në krye të detyrës. Ai ra për të ruajtur rendin kushtetues dhe integritetin territorial të vendit përfshirë Kushtetutën dhe ligjin në çdo cep të territorit të Kosovës. Ne e nderojmë atë dhe familjen e tij, si dhe të gjithë oficerët që kanë rënë në krye të detyrës, u jam mirënjohës të gjithëve”, deklaroi Hoti./Gazeta Sinjali/