image Hoti e viziton FSK-në, i sheh nga afër edhe pajisjet e fundit ushtarake të blera nga SHBA

Kosovë

Hoti e viziton FSK-në, i sheh nga afër edhe pajisjet e fundit ushtarake të blera nga SHBA

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka vizituar sot Qendrën Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës. I shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, Hoti fillimisht është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Pasi e ka vizituar Qendrën Mjekësore të FSK-së, Hoti tha se është këtu bashkë me ministrin e Shëndetësisë për ta takuar ministrin, komandantin dhe gjithë stafin tjetër të FSK-së si dhe ushtarakët, nga të cilët është informuar në detaje për përgatitjet që po bëhen për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së.

“Bashkë me ministrin e Shëndetësisë inspektuam spitalin ushtarak, për të parë kapacitetet që FSK-ja do t’i vërë në dispozicion të qendrës spitalore, në rast se do të kemi nevojë që t’i përdorim ato. Unë nuk jam shumë njeri ushtarak, por jam i impresionuar kur hyj brenda, por edhe i emocionuar me disiplinën ushtarake dhe përgatitjet e Ministrisë së Mbrojtjes, të FSK-së, një disiplinë që na bënë krenarë”, tha Hoti.

Më tej, Hoti theksoi se do t’i qëndrojnë afër Ministrisë dhe FSK-së për të ngritur më tutje kapacitetet dhe do të punojnë bashkë me stafin shëndetësor të FSK-së që të integrohen me Ministrinë e Shëndetësisë dhe shërbimin spitalor për të përballuar situatën nëpër të cilën po kalojmë.

“I falënderova edhe për mbështetjen që dhënë FSK-ja në 3-4 muajt e fundit,  institucioneve të tjera për të menaxhuar situatën, e cila tashmë po duket se po përkeqësohet dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që mund t’i kemi përpara gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm”, tha Hoti.

Më pas ai i pa nga afër edhe pajisjet e fundit ushtarake të FSK-së, të blera nga SHBA-ja me buxhetin e Kosovës.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka njoftuar Hotin për procedurat e pranimit teknik të këtyre pajisjeve dhe shpërndarjen e tyre varësisht nga nevojat, duke thënë se kjo është në vazhdimësi të procesit të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së, bazuar në mandat dhe mision të ri.

Hoti e përgëzoi Ramën për punën që po bëjnë, duke theksuar se është mirë që kjo punë po bëhet bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, por normalisht me buxhet të Republikës së Kosovës.

“Ne do t’ju qëndrojmë afër edhe në vitet e ardhshme, për të plotësuar nevojat e FSK-së dhe për të zbatuar plotësisht planin afatgjatë të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së. Unë jam sot këtu edhe për të demantuar çfarëdo informate që del në mediat ndërkombëtare lidhur me këtë furnizim që ka pasur FSK-ja. Kjo është plotësisht në përputhje dhe në marrëveshje me parterët tanë ndërkombëtarë”, tha Hoti. /Gazeta Sinjali