Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, është takuar sot me Komitetin për koordinimin dhe vlerësim të situatës emergjente me koronavirus.
Ndonëse pas kësaj mbledhje, Hoti ka paralajmëruar se ditëve në vazhdim do të ketë vlerësim pëfundimtar se a do të merren masa të reja apo do shqyrtohen ato që janë në fuqi.
Megjithkëtë, në konferencë nuk u përmend se a do të lejohet të falet namazi i Kurban Bajrami këtë të premte.
Burime të Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se në këtë mbledhje është diskutuar mundësia që të lejohet falja e Kurban Bajramit, por ende nuk është marrë vendim për shkak të situatës epidemiologjike.
“E di se është diskutuar si mundësi, por gjithmonë nën masa të rrepta të respektimit të masave anti-COVID, mbajtja e maskës dhe nëse mundë të ruhet distanca fizike”, ka thënë një burim i Gazetës Sinjali.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ditë më parë kishte folur për masat e qeverisë.
Tërnava kishte thënë se është vendosur që nëpër secilën xhami në Kosovë të mos lejohen të falen më shumë se 50 persona, të mbajnë distancën fizike, të marrin me vete sexhadet dhe të ndalohet falja në xhami për ata që janë të sëmurë kronikë, ata që kanë më shumë se 65 vjeç dhe ata që janë nën 16 vjeç.
“Ftojmë institucionet kompetente të vendit të mos të nguten në marrjen e vendimit për mbylljen e objekteve fetare në këtë rast xhamive”, kishte thënë Tërnava. /Gazeta Sinjali/