Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka pritur në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Hoti e njoftoi ambasadorin Grøndahl për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19, masat për rimëkëmbjen ekonomike, agjendën e reformave evropiane, fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe për zhvillimet e përgjithshme në vend.
Me këtë, rast Hoti citohet se ka shprehur falënderimin e tij dhe të Qeverisë që udhëheqë për ndihmën e Norvegjisë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit, duke vlerësuar se forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve është i një rëndësie të veçantë edhe në të ardhmen.
Në këtë takim, ZKM thotë se është diskutuar edhe çështja e dialogut me Serbinë, për të cilën Hoti tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale e cila do të rezultojë me njohje reciproke. /Gazeta Sinjali/