Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka mbajtur një takim virtual me ambasadorë të akredituar në Kosovë si dhe me drejtues institucionesh ndërkombëtare.
Në këtë takim morën pjesë ambasadorët Philip Kosnett (SHBA), Nicholas Abbott (Mbretëria e Bashkuar), Jörn Rohde (Gjermani), Marie-Christine Butel (Francë), Nicola Orlando (Itali), Natacha Gomes (Luksemburg), zëvendësambasadorja e Norvegjisë, Jenny Stenberg Sørvold, drejtori i Bankës Botërore për Kosovën, Massimiliano Paolucci, koordinatorja për Zhvillim e Agjencive të Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të BE-së me Kosovën, Luigi Brusa dhe zëvendëskryesuesja e Bashkëpunimit e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Hillen Francke.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Hoti ua paraqiti zyrtarëve ndërkombëtarë situatën me pandeminë dhe veprimet që po ndërmarrin institucionet e Kosovës për t’i rritur kapacitet e menaxhimit dhe parandalimit të përhapjes së COVID 19. Po ashtu, ai i falënderoi vendet dhe institucionet partnere për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës për përballimin e kësaj pandemie.
“Pjesëmarrësit në diskutim u pajtuan që të intensifikohet koordinimi i punës së institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht sa u përket nevojave që ka sistemi ynë shëndetësor për ta përballuar situatën epidemiologjike gjatë periudhës në vazhdim”, njofton ZKM.
Gjithashtu, u arrit pajtimi që të formalizohet një mekanizëm i përbashkët i shkëmbimit të informacionit të analizës për situatën epidemiologjike, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta. /Gazeta Sinjali