Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kanë zhvilluar sot një takim virtual me drejtuesit e TRUST-it, me të cilët biseduan rreth ecurisë së përgatitjeve për realizimin e tërheqjes së 10-përqindësisht nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Hoti kërkoi nga drejtuesit e TRUST-it që aspektet teknike dhe procedurat e tërheqjes së mjeteve të jenë të sigurta dhe transparente për qytetarët të cilët dëshirojnë t’i tërheqin mjetet e tyre.
Ndërsa ministrja Bajrami kërkoi që procesi të jetë i thjeshtë dhe pagesat të kryhen sa më shpejt, pas kalimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, kryeministri Hoti dhe ministrja Bajrami patën një takim edhe me drejtuesit e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, nga të cilët u kërkua që ky institucion t’i mbështesë bizneset me rreth 40 milionë euro pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.
Kryeministri Hoti tha se është koha të mbështeten të gjitha bizneset, sidomos ato të sektorit të bujqësisë dhe bizneseve prodhuese të orientuara në eksport. Qeveria e Kosovës do t’i mbulojë shpenzimet e administrimit të këtyre fondeve.
Po ashtu, Qeveria do të bashkëpunojë me Bankën Qendrore të Kosovës, me bankat komerciale, me asociacionet e biznesit, odat e ekonomike etj., me qëllim që ky proces të sigurojë gjithëpërfshirje, transparencë dhe qasje më të lehtë dhe me kosto me të ulët të bizneseve në këto kredi.
Këto nisma dhe instrumente financiare të propozuara dhe të mbështetura nga Qeveria e Kosovës janë ndërmarrë me qëllim që qytetarëve dhe bizneseve t’u krijohet mundësia e qasjes në burimet financiare për tejkalimin e gjendjes ekonomike të krijuar si pasojë e pandemisë COVID 19. /Gazeta Sinjali