image Hotelierët i refuzojnë 3 milionë eurot e ndara nga Qeveria

Biznes

Hotelierët i refuzojnë 3 milionë eurot e ndara nga Qeveria

news image

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e konsideron të pamjaftueshme ndarjen e 3 milionë eurove nga Qeveria për t’i dalë në ndihmë këtij sektori për përballimin e humbjeve të bizneseve.

Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva, thekson se pandemia COVID-19 ka goditur në mënyrë jo proporcionale industri të ndryshme të ekonomisë në Kosovë dhe për këtë arsye humbjet nuk janë të njëjta.

“Vendimet e qeverisë së Kosovës për kufizim të aktivitetit biznesor dhe lëvizjes së qytetarëve të cilat ishin marrë për të parandaluar përhapjen e virusit nuk kanë qenë të njëjta për secilën industri, dhe logjikisht as efektet ekonomike nuk mund të jenë të njëjta, pra dallojnë”.

“Krahas masave për ndihmë të përgjithshme ndaj bizneseve, sikurse ato në pakon e paraparë për vitin 2021, 3 milionë euro ndarje e buxhetit ndaj sektorit të gastronomisë dhe hotelierisë është një shumë të cilën Oda e Hotelierisë dhe Turizmit nuk e konsideron fare!”.

Sipas tij, kjo pako as për së afërmi nuk i mbulon dëmet që i ka shkaktuar pandemia këtij sektori.

“Dhe, pas takimit konsultativ me ministrin e Industrisë dhe Tregtisë, Vesel Krasniqi, përfaqësuesit e Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, u njoftuan edhe njëherë se pakoja e rimëkëmbjes përfundimisht do të jetë 3 milionë euro, prandaj OHTK e refuzon kategorikisht këtë ndarje sepse as për së afërmi nuk i mbulon dëmet e bizneseve hoteliere turistike gjatë pandemisë”.

Sogojeva shtoi se sipas informacioneve ndihma e ekzekutivit për këtë hotelierët janë nga 20 deri në 170 euro për secilin biznes.

Ai tha se kjo ndihmë është qesharake.

“Arsyeja e refuzimit është sepse në bazë të burimeve të sakta, dhe llogaritjeve që janë bërë i bie që kompensimi për subjekte të jetë nga shuma 20 euro deri në 170 euro për subjekt”, thuhet në kumtesën e kësaj ode.

Me këtë reagim Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, përveç që po kërkon që shuma për rimëkëmbje ndaj Bizneseve ose të jetë më e madhe ose të mos jetë fare, kërkon gjithashtu që të gjitha subjekteve të hotelierisë dhe Turizmit t’u falet tatimi për vitin 2020./Gazeta Sinjali/