image Holanda kërkon pezullimin e regjimit pa viza për Serbinë nëse ajo nuk vendos sanksione ndaj Rusisë

Evropë

Holanda kërkon pezullimin e regjimit pa viza për Serbinë nëse ajo nuk vendos sanksione ndaj Rusisë

news image

Më 8 dhjetor, Dhoma e Përfaqësuesve e Holandës miratoi një rezolutë që i bën thirrje qeverisë së saj të avokojë në Bruksel për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për Serbinë, nëse Serbia nuk respekton politikën e jashtme të BE-së dhe të vizave.

Propozimi pati mbështetjen e koalicionit qeverisës dhe deputetëve të opozitës. Ai është dorëzuar nga dy deputetë të dy partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, Jeoren van Weinharden nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) dhe Shord Shordsma nga Partia Demokratët 66, shkruan portali European Western Balkans, transmeton n1info.

Megjithatë, propozimi u mbështet edhe nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste (PS) në opozitë, Jasper van Dijk.

Deputeti Jeoren van Weinharden shkroi në Twitter se propozimi i tij u mbështet nga Dhoma e Përfaqësuesve të Parlamentit holandez.

“Dhoma e Ulët mbështet propozimin tonë për një qasje më të rreptë ndaj Serbisë nëse presidenti Vuçiç nuk i mbështet sanksionet kundër Rusisë. Përfundimi i procesit të pranimit të Serbisë në BE mund të bëhet një opsion. Ne nuk do të hezitojmë ta përdorim atë”, tha Van Weinharden.

Një ditë para inicimit të rezolutës në Kuvend, i njëjti deputet mori përgjigje për pyetjet parlamentare për shtimin e migrimit nëpërmjet Serbisë nga Sekretari i Shtetit për Drejtësi dhe Siguri, Erik van der Burgh. Ai tha se qeveria “ndan shqetësimin e komisionerit evropian Johansson për rritjen e fluksit përmes Serbisë dhe sheh nevojën për të kundërshtuar rrjedhën përmes Ballkanit Perëndimor”, por gjithashtu mirëpret hapat e ndërmarra nga Serbia në drejtim të harmonizimit me politikën e vizave të BE-së dhe do të vazhdojë të monitorojë zhvillimin e situatës dhe të ushtrojë presion nëse është e nevojshme.

Në sistemin institucional të Holandës, Parlamenti ka mandatin t’i japë qeverisë udhëzime për zhvillimin e politikës së jashtme. Për shembull, kur Holanda bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë, një nismë e tillë erdhi nga parlamenti.

Rezoluta e parlamentit holandez kërkon pezullimin e regjimit pa viza për Serbinë përmes mekanizmit të frenimit emergjent maksimumi deri në mars 2023 “duke pasur parasysh se Serbia po dëmton gjithnjë e më shumë politikën e jashtme të BE-së për shkak të qëndrimit të saj dashamirës ndaj Rusisë dhe jo-respektimi i sanksioneve të BE-së”, por edhe mos harmonizimi i regjimit të vizave, prandaj gjatë vitit 2022 një numër i madh i migrantëve të parregullt kanë kaluar në BE pikërisht përmes Serbisë.

Sipas Traktatit të Lisbonës, në Bashkimin Evropian ekzistojnë dy lloje të kësaj procedure. Njëra që lidhet me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe tjetra që zbatohet në fusha të tjera, si bashkëpunimi në luftën kundër krimit dhe sigurimet shoqërore.

/GazetaSinjali/