Taulant Hodaj nuk do të jetë më në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Hodaj u largua nga pozita e sekretarit të përgjithshëm pasi sot u inaugurua si konsull i përgjithshëm i Mbretërisë së Norvegjisë.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare.
Ademi gjithashtu njoftoi se Hodaj do të jetë sërish pjesë e futbollit në rolet e tjera, pasi me të do të vazhdojnë të bashkëpunojmë dhe të këshillohen për çështjet juridike.
Postimi i plotë nga Ademi:
“Sot, Taulant Hodaj u inaugurua si konsull i përgjithshëm i Mbretërisë së Norvegjisë.
Personalisht, isha shumë i lumtur dhe krenar që patëm një kalibër të tillë në rolin e sekretarit të përgjithshëm në Federatën e Futbollit të Kosovës. Gjatë kohës që ishte në këtë pozitë, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke u shquar si një jurist i shkëlqyer dhe një bashkëpunëtor i denjë për të gjithë.
Taulant Hodajt i takon një falënderim i madh për punën e tij të zellshme dhe kontributin e tij të çmuar në futbollin e Kosovës, për aq kohë sa ishte pjesë e FFK-së.
Unë dhe FFK e respektojmë dhe e vlerësojmë thellësisht për ndihmën e tij në zhvillimin e sportit tonë të dashur dhe e falënderojmë për kontributin e dhënë.
Njëherësh jam i lumtur që Taulant Hodaj do të jetë sërish pjesë e futbollit në rolet e tjera, pasi me të do të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe të këshillohemi për çështjet juridike të një institucioni kaq kredibil siç është FFK.
Pra, tanimë ish-sekretarin tonë të përgjithshëm e kemi një diplomat të ri, të cilin e zgjodhi jo rastësisht shteti norvegjez. Me këtë rast i falënderoj edhe ata për besimin e dhënë, e them këtë pasi Taulant Hodajn e llogarisim si pjesë të familjes tonë të futbollit.
Tash e tutje Taulantit i dëshirojmë suksese në rolin e konsullit të përgjithshëm të Mbretërisë së Norvegjisë, e i cili do ta ketë mbështetjen tonë, por sigurisht edhe ne përkrahjen e tij profesionale.
I dëshiroj fat në punën e re dhe karriera e tij të vazhdojë me shumë suksese”.