image Historianët në Tiranë dhe Prishtinë shprehin qëndrime të kundërta sa i përket figurës së Xhafer Devës

Kosovë

Historianët në Tiranë dhe Prishtinë shprehin qëndrime të kundërta sa i përket figurës së Xhafer Devës

news image

Hulumtuesit shkencorë të historisë, por edhe të trashëgimisë kulturore, vlerësojnë se në çështjen e restaurimit të objektit në Mitrovicë të Jugut, të njohur si “Shtëpia e Xhafer Devës”, por edhe në pezullimin e punimeve, janë ngatërruar konceptet, në mënyrë të qëllimshme ose të paqëllimshme.

Kjo, sipas tyre, edhe ka nxitur debatet në rrethet akademike dhe shkencore në Kosovës dhe Shqipëri.

Objekti që njihet si “Shtëpia e Xhafer Devës”, nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës (MKRS) listohet si Monument i Trashëgimisë Kulturore.

Edon Qesari, kërkues shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, që është pjesë e Akademisë së Studimeve Albanologjike, thotë se autoritetet e Kosovës është dashur të tregojnë më shumë takt lidhur me emrin e objektit.

Nora Visoka-Weller, studiuese e doktoraturës për trashëgiminë kulturore dhe konfliktin në Kolegjin Selwyn, në Universitetin e Kembrixhit, vlerëson se emri i personit që karakterizon objektin është jorelevant shikuar nga perspektiva e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të vetë objektit.

Ndërkaq, historianët në Tiranë dhe Prishtinë kanë shprehur qëndrime krejtësisht të kundërta për sa i përket figurës së Xhafer Devës.

Xhafer Deva ishte politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945.

Deva udhëhoqi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur, sipas studiuesve, drejtoi rezistencën kundër futjes në Kosovë të trupave partizane jugosllave. Në vitin 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.

Gjatë dekadës së fundit, në objektin e njohur si “Shtëpia e Xhafer Devës”, janë kryer disa faza të restaurimit, kryesisht në përforcimin e konstruksionit. Por, më 2 shkurt të vitit, 2022, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Kosovës, në faqen e saj të internetit ka thënë se ka nisur fazën e re të “restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë”, duke e përshkruar atë si “një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës”.

Por, fakti që po restaurohej objekti, të cilit i atribuohet emri i figurës kontroverse, Xhafer Deva, ka nxitur reagime. Këto reagime, më 8 shkurt rezultuan me vendimin për pezullimin e punimeve nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), të cilat kanë financuar këtë projekt në kuadër të atij që njihet si Instrument i Bashkimit Evropian që kontribuon në stabilitet dhe paqe (IcSP).

Edon Qesari, kërkues shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, thotë për Radion Evropa e Lirë se restaurimi i objektit në Mitrovicë të Jugut, parimisht nuk do të duhej të rezultonte me kurrfarë ndikimi negativ. Por, siç thotë ai, kur personazhi, me emrin e të cilit karakterizohet objekti, identifikohet me nazizmin, atëherë e gjithë ndërmarrja e MKRS-së interpretohet si restaurim i shtëpisë së një nazisti.

“Në qoftë se ne apelojmë një godinë, si një godinë e trashëgimisë kulturore dhe të tjera, që është në Mitrovicë, që paraqet dhe është një stil i veçantë, si dhe konsiderata të tjera të këtij lloji, kam përshtypjen se nuk do të kishte pasur asnjë ndikim negativ. Në momentin që kjo godinë paraqitet, së pari si shtëpia e Xhafer Devës, ndërkaq që njerëzit janë në dijeni se cili është ndikimi i këtij personazhi në kujtesën e përgjithshme, atëherë këtu kemi një problematikë tjetër”, thotë Qesari./REL

/GazetaSinjali/