Alban Ramosaj, artisti i cili arriti të triumfonte këtë vit në “Kënga Magjike” me këngën e tij “Thikat e mia”, bëri përvete publikun shqiptar në fare pak kohë, shkruan Gazeta Sinjali.
Pas fitores, Alban Ramosaj u shpreh mjaft i emocionuar dhe gati thuajse nuk e besonte që e kishte fituar çmimin e madh. Këtë fitore ai ia dedikoi nënës së tij, Antigona Ramosaj, për gjithë sakrificat që ajo ka bërë që Albani të arrinte këtu ku është sot.
Sipas tij, këngën me të cilën mori pjesë e ka shkruar gjatë kohës që ka qëndruar në Spanjë, por e përfundoi si produksion në studion e “ThreeDots”. Kënga është kompozim i tij, ndërsa produksioni është realizuar nga Bruno.
Sa i përket tekstit, e ka shkruar së bashku me Fifin. Ai ka treguar se kjo këngë është shumë personale, sepse i dedikohet një historie dashurie të përfunduar tashmë me një vajzë spanjolle.
“Kënga lindi nga një histori e imja në Spanjë, pra mund të them me plot gojën që është dedikim. Si çdo histori spanjolle, fundi është dramatik. Të gjithë kemi pasur lidhje të çuditshme, të gjithëve na ka mbyt xhelozia, por jo me shije latine. Thikat janë një metaforë për të treguar posesivitetin, dramat, xhelozinë, por edhe kënaqësinë e dashurisë, edhe pse toksike. Në këtë rast, posesivi jam unë, e kur do pa hile, pa dashur kthehesh në dominant”, tha ai. /Gazeta Sinjali/