Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë aktakuzën e ngritur ndaj deputetes dhe nënkryetares së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, për pengim të personit zyrtar.
Saranda Bogujevci, ngarkohej se në nëntor të 2015-ës kishte penguar punën e një polici, i cili nuk e kishte lejuar deputeten të kalonte nëpër një rrugë të bllokuar në Prishtinë.
Një vendim të tillë kjo gjykatë rezulton se e ka nxjerrë më 30 shtator të vitit 2020.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 nëntor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bogujevcit se kishte insistuar që me çdo kusht të kalonte në rrugën “Migjeni” në Prishtinë edhe pse ishte njoftuar nga zyrtarët policorë që kjo rrugë ishte e bllokuar dhe e njëjta nuk mund të kalonte.
Mirëpo, pas tre vitesh nga ngritja e kësaj aktakuze, gjykata kishte vendosur ta hedhë poshtë këtë aktakuzë.
Gjykata pas shqyrtimit paraprak të aktakuzës ka gjetur se veprës penale, i mungojnë elementet e figurës së veprës penale, përdorimi i forcës apo kanosje serioze, që është element thelbësor në kryerjen e kësaj vepre penale.
Sipas këtij vendimi, në të njëjtën kohë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ishte tërhequr nga aktakuza.
“Po më 30.09.2020, gjykata pranoi shkresën zyrtare nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se prokurori i rastit pas analizimit të shkresave të lëndës, konstatoi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me vepër penale, prandaj e bën tërheqjen e aktakuzës”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 nëntor 2017, e akuzuara Saranda Bogujevci akuzohej për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, par.1 të Kodit Penal, raporton Betimi për Drejtësi.
Vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, është e dënueshme me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.